
Drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës (KDI), Ismet Kryeziu, ka thënë se deputetë të caktuar të Kuvendit të Kosovës në vazhdimësi janë sjellë në formë të papërgjegjshme në raport me pjesëmarrjen në punimet e Kuvendit.
“Kjo ka bërë që vendimmarrja shpeshherë të bllokohet në seanca plenare dhe mbledhje të komisioneve. Madje kemi parë ndërprerje shumë të shpeshta të punimeve për mungesë të kuorumit. Për të ndodhur kjo ka kontribuar shumë fakti se deputetët kanë marrë mëditjet edhe nëse nuk kanë marrë pjesë në punimet e seancave plenare”, ka thënë Kryeziu për Telegrafin.
Sipas tij, ideja e ndëshkimit material, fatkeqësisht po duket të jetë e vetmja formë e cila e prek “ndërgjegjen” e deputetëve. Kryeziu mendon se kjo nuk do të duhej të ishte kështu, pasi që deputetët konsiderohen si zë i qytetarëve në vendimmarrje dhe mungesa e deputetit është mungesë e zërit të qytetarëve në Kuvend.
“Ndonjëherë kjo mospjesëmarrje edhe është e qëllimshme për të pamundësuar vendim marrjen në procese për të cilat mund të ketë reagime publike dhe mospjesëmarrja është një ikje nga përgjegjësia. Megjithatë në të shumtën e rasteve është evidente neglizhenca individuale e deputetëve të Kuvendit”, ka thënë Kryeziu, i cili drejton KDI-në, organizatë që e monitoron nga afër punën e Kuvendit të Kosovës. /Telegrafi/